Gazetari Berat Buzhala ka pretenduar se një person, të cilin e identifikon si Taulant, ka bërë publikime që, sipas tij, përmbajnë shpifje dhe gënjeshtra, ndërsa ka thënë se e ka denoncuar rastin në Prokurori dhe Polici.
Në një postim në Facebook, Buzhala ka pretenduar se personi në fjalë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vjen shpesh në Kosovë, ndërsa ka bërë edhe pretendime për lidhje të tij me figura politike dhe institucione të sigurisë.
“Ky tipi e quan veten Taulant, jeton në Amerikë, vjen shpesh në Kosovë dhe ka raporte të ngushta me krerët e LVV-së dhe me AKI-në – me këta të AKI-së që i ka punësu Dejona”, ka shkruar Buzhala.
Ai ka thënë se publikimet e personit në fjalë kanë shkaktuar që ai të ndihet i kërcënuar vazhdimisht.
“Për shkak të rrenave të tij monstruoze unë vazhdimisht jam kërcënuar”, ka deklaruar Buzhala.
Gazetari ka përmendur edhe disa publikime të bëra nga personi që ai e akuzon, duke thënë se në njërin prej tyre janë publikuar fotografi të policisë së Serbisë me pretendimin se njëri prej personave në foto ishte babai i tij.
Buzhala ka thënë se pret që çështja të përfundojë në Gjykatë.
