Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku deputetja e Kuvendit, Dude Balje, kanë mbajtur një takim, ku kjo e fundit ka kërkuar që Byroja Kosovare e Sigurimit në bazë të kompetencave ligjore që ka, të shikojë mundësinë që Kosova dhe Bosnja të heqin aplikimin e sigurimit kufitar.
“Byroja Kosovare e Sigurimit njofton se janë të gatshëm t’a largojnë aplikimin e sigurimit kufitar me Bosnjën dhe Hercegovinën, përmes njohjes reciproke të çerfitikatave të sigurimit të vlefshme”, kështu u tha në takim.
“Ne sot takuam drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimit. Nga i njejti kërkuam që të hiqet kjo pengesë për qarkullimin e qytetarëve të të dy vendeve. Mazreku na dha mbështetje për këtë iniciativë për të cilën vlerësoj që do të mirëpritet nga dy vendet. Kjo nismë do të ishte pozitive, pasi që edhe Qeveria ka marrë vendim që të udhëtohet me letërnjoftime”, tha ajo.
Kurse Mazreku, ka falënderuar deputeten Balje dhe Zëvendësministrin e MZHR-së Almir Veliji për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për të hapur një dritare të re të bashkëpunimit me Bosnjë Hercegovinën.
“Ne mirëpritëm sot në vizitë Deputeten Balje, përkrahëm iniciativën e saj që ne si Byro të shikojmë mundësinë të heqim sigurimin kufitar me Bosnjën duke mundësuar lëvizjen përmes njohjes reciproke të certifikatave të sigurimit të të dy vendeve. Tani për tani, një proces të tillë të njohjes reciproke të sigurimeve për territoret respektive jemi duke e finalizuar me Byrone e Malit të Zi”, tha ai.