Byroja Kosovare e Sigurimit pret të sigurohet Kartoni i Gjelbër për pak javë

Byroja Kosovare e Sigurimit pret të sigurohet Kartoni i Gjelbër për pak javë

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, pret që më 28 korrik, Këshilli i Byrove që do të mbajë takim në Bruksel, të japë dritën e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në këtë trupë dhe me këtë të sigurohet edhe Kartoni i Gjelbër për kosovarët.

Për të arritur deri te ky anëtarësim, Mazreku ka thënë se është dashur të mbyllen disa detyrime midis Byros Kosovare të Sigurimit me ato të rajonit, si dhe të bëhet rikonstruktimi i brendshëm i këtij institucioni.

I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, të enjten, Mazreku ka thënë se njëra nga çalimet e kësaj byroje për disa vjet me radhë, ishte pastrimi i databazave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme sa i përket regjistrimit të veturave që nga viti 2002.

“Për një kohë shtatë mujore jemi marrë intensivisht me Shqipërinë, kemi diskutuar për dëmet të cilat janë akumuluar nga viti 2002 deri në vitin 2018. Shqipëria i ka pasur Kosovës mbi 1 milionë euro detyrime, ndërsa Kosova Shqipërisë rreth 300 mijë euro. Në një kohë rekord i kemi mbyllur këto detyrime dhe tani po punojmë për marrëveshje të re. Përveç ristrukturimit të brendshëm të Byrosë, ne kemi ndarë detyrat me Bankën Qendrore e me Ministrinë e Infrastrukturës. Që nga viti 2018, kam kërkuar që databaza e MPB-së të pastrohet”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se deri në vitin 2021 ishin mbi 200 mijë automjete të paregjistruara, ndërsa të dhënat e reja zyrtare tregojnë se tash janë “vetëm” 20.630.

“Ne pajtohemi që të gjitha ato vetura nuk janë në trafik, por ne duhet ta dimë se ku janë, përderisa institucionet nuk marrin veprime për t’i pastruar ato databaza, ne i marrim ato të dhëna si zyrtare. Numrin e automjeteve të paregjistruara e kemi më mirë se Shqipëria, Mali i Zi e Serbia. Sot jemi në një situatë shumë të mirë, pasi për 15 muaj kemi marr veprime të shpejta”, ka thënë ai.

Mazreku ka thënë se janë rreth 12 mijë padi në proces kundër qytetarëve që kanë dalë në trafik pa regjistrim.

Related Articles