Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), komentoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese rreth moskonstituimit të Kuvendit, duke thënë se Kushtetuesja “foli për krizën në Kuvend – por jo aq sa duhej, dhe jo për gjithçka që pritej”.
“Për disa pika ishte e qartë. Për disa të tjera, jo mjaftueshëm, thënë së buti. Në fund, një vendim që duket sikur “kënaq” të gjitha palët, por nuk i jep zgjidhje të plotë asnjërës. Dhe përtej çdo norme e interpretimi, problemi i vërtetë vazhdon të jetë mungesa e kulturës politike për konsensus dhe kompromise”, shkroi Cakolli në një postim.
Sipas Cakollit, pikat kryesore të këtij aktgjykimi janë:
1. Kuvendi duhet të konstituohet më së largu deri më 26 korrik!
Gjykata ka vendosur një afat 30-ditor për përfundimin e seancës konstituive – një hap pozitiv për të ndalur zvarritjen pafund. Por çfarë ndodh nëse konstituimi nuk përfundohet deri atëherë? Asgjë s’është sqaruar. Pra, kemi afat, por jo pasoja. E kjo është formula “ideale” për një bllokadë të re.
2. LVV ka të drejtë ta propozojë Kryetarin e Kuvendit – por edhe detyrimin të mos e bllokojë Kuvendin.
Gjykata thotë qartazi se kjo e drejtë është e lidhur ngushtë me arritjen e shumicës. Kjo s’mund të shndërrohet në të drejtë për të propozuar përsëri e përsëri të njëjtin emër, për t’u refuzuar nga e njëjta shumicë. Grupi më i madh parlamentar ka për detyrë të bashkëpunojë në mirëbesim. Nuk mund të propozohet vetëm për t’u refuzuar. Dhe nëse kjo ndodh qëllimshëm, është abuzim. E kjo tani është evidentuar edhe në aktgjykim.
3. Edhe opozita ka detyrime – sidomos për nënkryetarët.
Për herë të parë, Gjykata ua përkujton edhe atyre që detyrimi për bashkëpunim është i ndërsjellë. S’mund të përdoret bllokada si justifikim për të mos ushtruar funksionet e tyre, si deputetë.
4. Gjykata qartëson mënyrën e votimit: I HAPUR.
Votimi i fshehtë, sipas Gjykatës, përdoret vetëm kur e parashikon Kushtetuta. E që rasti i konstituimit – nuk është një prej tyre. Madje, Gjykata indirekt përcakton që mënyra e votimit me të cilën fillohet procedura – duhet të ndiqet deri në fund. Pra, s’ka kthim mbrapa në votim të fshehtë, për aq kohë sa procesi është në vijim. Mbi të gjitha, duhet të ndiqet praktika e deritanishme – që gjithnjë ka qenë votim i hapur.
5. Por Gjykata nuk e thotë asnjë fjalë për problemin më të madh: ripërsëritjen pa fund të kandidaturës së njëjtë që nuk merr vota.
Kjo është pika më e brishtë e aktgjykimit. Nuk vendosi asnjë kufi për këtë absurditet, duke lënë një derë të hapur. Dhe ndonëse përmend nevojën për kompromis, nuk vendos asnjë kufizim ndaj përsëritjes së kandidaturës që nuk ka shumicë.
6. Në rast të bllokadës së re, Presidentja mund t’i drejtohet Gjykatës.
Vetë fakti që kjo lëndë është pranuar, e krijon një precedent të vlefshëm, që, nëse deputetët nuk përmbushin aktgjykimin, Presidentja ka rrugë kushtetuese për t’iu rikthyer Gjykatës.