Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se autoritetet e vendit kanë dështuar në pastrimin e listave zgjedhore.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten, Cakolli ka thënë se Kosova megjithatë ka siguresa të mjaftueshme për të parandaluar manipulimet, por se, sipas tij, duhet gjetur modalitete të tjera për pastrim të listave.
“Ka problem me pastrimin e listave me personat që kanë vdekur, sidomos para vitit 2013 kur s’ka pasur sistem të unifikuar të regjistrit qendror civil mes nivelit lokal dhe atij qendror. Besoj se ekzistojnë dhjetëra mijëra persona që janë ende pjesë e listave zgjedhore, e që kanë vdekur para vitit 2013. Në ekstraktet e para ka pasur numër të votuesve të themi 130-140 vjeç që është dashur të fshihen manualisht nga KQZ-ja, por që sillen sërish në procesin e ardhshëm sepse nga ekstrakti ministria i dërgon sërish të njëjtit si të tillë. Besoj se KQZ-ja, komisionet komunale zgjedhore dhe institucionet tjera s’kanë performuar si duhet dhe s’e kanë kryer obligimin ligjor për të pasur lista më të pastra”, ka thënë ai.
Sipas tij, një nga modalitetet për pastrim më efikas të listave mund të jetë regjistrimi aktiv i votuesve disa muaj para votimit.
Cakolli ka thënë se mospastrimi i listave po ndikon keq edhe në përqindjen e daljes, pasi sipas tij ajo është dukshëm më e lartë se shifrat tashmë standarde prej 40-45 për qind.
Sa i përket procesit të votimit me postë nga diaspora, Cakolli ka thënë se për shkak të lehtësirave në krahasim me herët e kaluara, pret më shumë vota nga mërgata.
Pos afatit më të gjatë prej 30 ditësh, tani edhe vota me postë në diasporë kushton më lirë për shkak se zarfet dërgohen brenda shteteve përkatëse dhe s’ka nevojë të paguhet më shtrenjtë për dërgim të postës në Kosovë.
“Nëse jo 100 për qind, unë besoj se pjesëmarrja në zgjedhje e votuesve të regjistruar suksesshëm ta kalojë apo mbërrijë 90-përqindëshin sepse duke qenë se të njëjtit që marrin mundin të regjistrohen, gjasat janë që të njëjtët të ushtrojnë këtë të drejtë vote. Për dallim nga 2021-a, kur gati 1/3 e fletëvotimeve apo votuesve të regjistruar suksesshëm nuk kishin arritur ta jetësojnë vullnetin e tyre qytetar, për shkak të vonesave të aviokompanive, periudhës së shkurtër e të tjera tash besoj se do ta bëjnë këtë dhe fakti që opsioni më i preferuar është votimi me postë në misionet diplomatike është tregues mjaft i qartë”, ka thënë ai.
E nëse dalin mbi 90 për qind të të regjistruarve për votë nga diaspora, sipas Cakollit, do të jetë dalja më e madhe ndonjëherë.
Për fushatën aktuale, Cakolli ka thënë se vërehet “koncentrim masiv” në rrjete sociale. Partitë sipas të dhënave kanë shpenzuar më shumë se 100 mijë euro deri tash, ende pa nisur zyrtarisht fushatën.
Pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, ai e ka cilësuar si punë të kryer.