Cakolli: Mbi 300 mijë euro shkuan për deputetët për më pak se dy orë punë efektive

Cakolli: Mbi 300 mijë euro shkuan për deputetët për më pak se dy orë punë efektive

Deputetët e Kosovës po vazhdojnë të paguhen, ndonëse punë efektive nuk janë duke bërë.

Legjislatura e nëntë e Kuvendit po vazhdon të mbetet e pa konstituuar për më shumë se një muaj e gjysmë.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se ndonëse Kuvendi po qëndron i bllokuar për një muaj e gjysmë, deputetët nuk po mërziten për këtë çështje.

Kjo për shkak se ata po vazhdojnë të marrin paga.

“Sepse sot erdhën në seancë me nga 2,600 euro më shumë në xhirollogari. Si kompensim për… 24 dështime radhazi. Pra, në total, mbi 300 mijë euro paga nga taksat e qytetarëve – për më pak se dy orë punë efektive, e pa asnjë vendim të marrë”, shkroi Cakolli në Facebook.

Gazetarët e Klan Kosovës, që ishin të pranishëm te Kuvendi, sot kanë pyetur deputetët nëse janë duke i marrë pagat e tyre.

Pati të tillë që thanë se nuk ndihen mirë që paguhen për këtë pak punë që po e bëjnë, por pati edhe të tillë që ua ofruan gazetarëve pagën e tyre – kjo megjithatë u refuzua nga gazetarët, pasi, për dallim nga deputetët, ata janë duke u paguar për punën që e kryejnë. 

Related Articles