Cakolli për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit: Nuk zgjidh krizën aktuale

Cakolli për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit: Nuk zgjidh krizën aktuale

Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar se ideja për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit mund të diskutohet në kuadër të një reforme kushtetuese, por sipas tij ajo nuk e zgjidh situatën aktuale institucionale në vend.

Ai thekson se ndryshimi i Kushtetutës kërkon një shumicë të cilësuar prej së paku 80 votash në Kuvend, përfshirë edhe votat e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë.

“Ideja për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit mund të jetë pjesë e një debati serioz për reformën kushtetuese. Megjithatë, si procedura ashtu edhe përmbajtja e amandamenteve kushtetuese të dorëzuara nga Presidentja Osmani, tregojnë se ajo nuk e adreson situatën aktuale dhe krizën potenciale nga moszgjedhja e Presidentit nga Kuvendi”.

“Së pari, për të ndryshuar Kushtetutën duhen të paktën 80 vota në Kuvendin e Kosovës, prej të cilave të paktën 14 duhet të jenë vota të deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Ky është një prag shumë i lartë dhe kërkon marrëveshje të gjerë politike ndërmjet shumicës dhe komuniteteve. Në rrethanat aktuale parlamentare, një shumicë e tillë është tejet e vështirë të arrihet”, tha ai.

Cakolli po ashtu argumenton se edhe nëse amendamentet kushtetuese miratohen, ato nuk do të mund të zbatoheshin menjëherë, pasi vetë teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale të shpallen gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit, çka në këtë moment praktikisht do ta shtynte zbatimin e tyre deri në vitin 2031.

“Së dyti, edhe nëse këto amendamente miratohen, vetë teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, kur kalendari zgjedhor është i parashikueshëm dhe mandati presidencial po i afrohet fundit të tij. Në rrethanat aktuale kjo formulë nuk mund të zbatohet, andaj edhe nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai praktikisht do të zbatohej nga viti 2031”.

“Përndryshe, vendi do të përballej me një vakuum të qëllimshëm kushtetues, sepse rregulli gjashtëmujor nuk mund të respektohet dhe nuk parashihet një mekanizëm i qartë tranzitor që ta adresojë këtë situatë, ndërkohë që pas skadimit të afatit për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk do të kishte as ushtrues detyre”.

“Së treti, kalimi në një model të ri të zgjedhjes së Presidentit kërkon edhe miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve, kandidimin dhe shumë aspekte tjera. Hartimi dhe miratimi i këtyre akteve brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte praktikisht i pamundur. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar në vendimin e fundit – kur ishin anuluar shumë projektligje – se procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike”, shkroi ai.

Ai shtoi se në këto rrethana, propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të Presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale.

Për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional, Cakolli tha se çdo ndryshim kushtetues “kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik”

Related Articles