Cakolli: Qeveria në detyrë po e procedon buxhetin në mënyrë të paligjshme

Cakolli: Qeveria në detyrë po e procedon buxhetin në mënyrë të paligjshme

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar pas procedimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm nga Qeveria në detyrë, duke e quajtur procesin shkelje të qartë ligjore dhe pjesë të një “loje politike të menduar mirë”.

Cakolli thotë se vendi po përballet me një situatë paradoksale, ku buxheti po i propozohet Kuvendit nga një Kryeministër në detyrë që para pak ditësh u refuzua të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re.

“Me votimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë.

Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal:

– Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër. I njëjti tash po vepron si Kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim.

– Shumica e (ish-)ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në Qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota “pro” për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi”, shkroi Cakolli në Facebook.

Ai përmendi edhe faktin që projektbuxheti është përgatitur nga ish-ministri i Financave, të cilit, siç theksoi, Gjykata Supreme i kishte anuluar më herët një udhëzim administrativ për shkak të papajtueshmërisë së mandatit, e që tani vazhdon të veprojë njësoj edhe me ligjin më të rëndësishëm të vitit.

“Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit. Prandaj, çështja nuk është te buxheti, por tek mënyra si po shkelet ligji në emër të tij. Duke e shitur këtë si një lajm të mirë për qytetarët – përmes rritjes së pagave, pensioneve, ndihmave sociale e beneficioneve të tjera – po tentohet të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin, është kundër qytetarëve. Pra, po krijohen kushtet e përzierjes së qëllimshme të ligjshmërisë me populizmin, për ta bërë të padukshme shkeljen. E nëse ligji shkelet sot në emër të pagave e pensioneve, nesër do të mund të shkelet në emër të çdo gjëje tjetër”, shkroi Cakolli. 

Related Articles