Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se seanca e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mund të thirret menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
“Meqenëse Gjykata e ka vazhduar masën e përkohshme deri në publikim dhe hyrje në fuqi të aktgjykimit, besoj që, bazuar në praktikën e mëhershme, gjykatës i duhen një deri në dy javë maksimalisht që ta nxjerrë aktgjykimin e plotë. Ta zëmë nëse aktgjykimi publikohet të mërkurën, atëherë seanca mund të thirret menjëherë të enjten dhe pastaj të vazhdojë cikli 48-orësh”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Cakolli vlerësoi se me vendimet e 26 qershorit dhe të 8 gushtit (sot), Kushtetuesja ka kaluar nga doktrina që fituesi i zgjedhjeve ka të drejta absolute dhe mund të bllokojë formimin e institucioneve, drejt thelbit të sistemit parlamentar – shumicës. Sipas tij, kjo i imponon partive nevojën për të gjetur konsensus.
“Gjykata vijon t’ia njohë të drejtën ekskluzive partisë fituese për të propozuar kandidat, por nuk e lejon ta bllokojë procesin te një kandidaturë që dihet se nuk i ka numrat”, shtoi Cakolli.
Ai shtoi se votimi i hapur nuk ka qenë çështje kontestuese, pasi kjo ishte sqaruar me aktgjykimin e 26 qershorit. Megjithatë, sipas tij, qasja e LVV-së e shtyu Gjykatën që ta trajtojë këtë çështje në një nivel që nuk ishte parë më parë.
“Kur është lëshuar aktgjykimi më 26 qershor, Gjykata ka menduar që palët janë racionale dhe do ta zgjidhin ngërçin. Por meqë nuk kemi të tillë, fatkeqësisht, kësaj here Gjykata u dasht ta gdhendë me çekiç këtë çështje”, u shpreh ai.
Cakolli ka thënë se ende mbeten të paqarta pasojat juridike të vendimit, sidomos në rastet kur nuk respektohen afatet. Por theksoi se kjo mund të pritet në një tjetër vendim të Kushtetueses, bazuar në kërkesën e presidentes Vjosa Osmani.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.