Cakolli: Si mund të quhet zgjidhje një procedurë që ka dështuar 34 herë?

Cakolli: Si mund të quhet zgjidhje një procedurë që ka dështuar 34 herë?

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se është bërë e pakuptimë se si shumë herë pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk është i kundërligjshëm.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Kuvendi ka ngecur ende pa hyrë në procedurë votimi, pikërisht për shkak të përpjekjeve për të kaluar në votim të fshehtë.

“Si mund të quhet “zgjidhje” një procedurë që ka dështuar 34 herë radhazi, gjashtëfish më shumë sesa ajo e hapur? Është bërë tashmë e pakuptimtë, madje absurde, se si çdo ditë – herë nga një, herë nga një tjetër deputet i LVV-së – mbrohet pretendimi për votimin e fshehtë. Sidomos tani, kur vetë Kryesuesi, sipas instruksioneve politike, po e shet këtë si “zgjidhje” të bllokadës. Por faktet flasin të kundërtën”, u shpreh Cakolli.

“Po, është e vërtetë që kandidatja e propozuar nga LVV ka dështuar 6 herë me votim të hapur. Por, në anën tjetër, PLOT 34 herë të tjera Kuvendi ka ngecur ende pa hyrë në procedurë votimi, pikërisht për shkak të përpjekjeve për të kaluar në votim të fshehtë.  Këto përpjekje, jo që nuk kanë prodhuar rezultat, por nuk janë as legjitime e as kushtetuese”.

‘Së dyti, duhet rikujtuar që Kryesuesi nuk ka kurrfarë diskrecioni e autoriteti për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë seancës. Mënyra e votimit, ndonëse si standard është e hapur, mund të jetë çështje diskutimi dhe vendimmarrje vetëm në takimin përgatitor të thirrur nga ish-Kryetari dhe grupet parlamentare, që këtë herë u mbajt më 8 prill. Kjo nuk mund të anashkalohet apo zëvendësohet me vendime të njëanshme e arbitrare gjatë seancës”, tha Cakolli.

I njëjti shtoi se të këmbëngulësh për votim të fshehtë dhe ta shesësh si “zgjidhje”, sipas Cakollit, kur në fakt është bërë burimi i bllokadës prej muajsh, është jo vetëm kontradiktore, por edhe manipulim procedural.

Cakolli shtoi se në vend të këtij manipulimi, do të duhej që vet Kryesuesi dhe partia të cilës ai i përket, të kthehen te parimet e konsensusit dhe kompromisit politik, duke respektuar vendimet e marra në mënyrë kolektive.

Related Articles