Cakolli sqaron: Nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme për votim të Qeverisë – procedura është tjetër

Cakolli sqaron: Nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme për votim të Qeverisë – procedura është tjetër

Eksperti i proceseve parlamentare nga KDI, Eugen Cakolli, ka deklaruar se aktualisht nuk ka bazë ligjore për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për votimin e Qeverisë. Ai sqaroi se procedura kushtetuese pas dështimit të votimit të parë duhet të ndjekë hapat e tjerë, përpara se deputetët të mblidhen sërish për votim.

Sipas Cakollit, pas dështimit të votimit të pardjeshëm, Presidentja duhet të zhvillojë konsultime me subjektet politike dhe të vendosë kujtdo t’i jepet – dhe nëse do t’i jepet – mandati i dytë për formimin e Qeverisë. Derisa të përfundojë kjo fazë dhe të ketë një dekret të ri për mandatarin, Kuvendi nuk ka rrethana kushtetuese për t’u mbledhur për çfarëdo votimi që lidhet me Qeverinë.

Ai ka vënë në dukje se nënshkrimet e deputetëve, të cilat po përmenden si mjet për thirrjen e seancës, nuk prodhojnë efekt juridik në këtë fazë. Ato mund të kenë vetëm rol provues gjatë konsultimeve te Presidentja, si pjesë e kritereve për vlerësimin e shumicës parlamentare.

“Për të dëshmuar shumicën duhen 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 për thirrjen e seancës”, ka theksuar Cakolli.

Ai ka shtuar se as ligji për buxhetin nuk mund të jetë arsye për thirrjen e seancës në këtë moment, pasi procedura kushtetuese është e qartë: pas konstituimit të Kuvendit, çështja e parë dhe e domosdoshme është zgjedhja e Qeverisë. Vetëm një Qeveri e kësaj legjislature ka kompetencë të dërgojë projektbuxhetin në Kuvend.

Në përmbyllje, Cakolli nënvizoi se çdo veprim parlamentar para caktimit të mandatarit të ri do të ishte jashtë procedurave kushtetuese.

Related Articles