Cakolli: Tërheqja e kërkesës nga Osmani nuk e ndalon Kushtetuesen ta trajtojë çështjen

Cakolli: Tërheqja e kërkesës nga Osmani nuk e ndalon Kushtetuesen ta trajtojë çështjen

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se tërheqja e kërkesës nga presidentja Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndalon trajtimin e saj nga kjo gjykatë, duke shtuar se Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor.

Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social, Facebook, Cakolli tha se gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve.

Sipas Cakollit, gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit.

“Presidentja paska vendosur ta tërheqë kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur si arsye caktimin e gjyqtarit raportues Radomir Llaban. Është legjitime që secili institucion të ketë rezerva ndaj figurave individuale, veçanërisht kur ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për cenim të rendit kushtetues. Por nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal (gjyqtarët s’kanë imunitet jashtë fushëveprimit të tyre), atëherë është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese”, shkroi ndër tjerash Cakolli. 

Related Articles