Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka thënë se Qeveria po të ishte e interesuar që t’i ndjekë rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore, nuk do të priste që kërkesën për opinion për një çështje kaq të ndjeshme ta parashtrojë Kryetari i Kuvendit.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se një nga arsyet pse qeveria nuk e tërheq këtë projektligj, është që në publik të mos krijohet perceptimi që ajo po tërhiqet nga kjo iniciativë e shumëpërmendur.
Postimi i tij i plotë:
Po të ishte Qeveria e interesuar t’i ndjekë njëmend rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore, nuk do të priste që kërkesën për opinion për një çështje kaq të ndjeshme ta parashtrojë Kryetari i Kuvendit.
Praktika e deritanishme, gjithandej është që kërkesat për opinione mbi projektligje të bëhen nga institucioni sponsorizues i tyre, e jo nga institucione tjera.
E një prej arsyeve kryesore pse Qeveria me gjasë nuk po pranon ta tërheqë dhe rishkruajë Projektligjin për Byronë Shtetërore, është që në publik të mos krijohet perceptimi që ajo po tërhiqet nga kjo iniciativë e shumëpërmendur.
Por, puna dhe veprimet e ekzekutivit s’duhet të bazohen në perceptimin publik, por në garantimin e ligjshmërisë dhe të drejtave të njeriut.