“Çka tash, pas dështimit të votimit për Qeverinë?” është pyetja që e ka parashtruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, sot, pasi ligjvënësit kosovarë nuk i thanë “po” Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, me vota për të vazhduar me ekzekutivin e ri.
Cakolli ka sqaruar se tani vendi hyn në fazën e dytë të procedurës kushtetuese për formimin e qeverisë, që, siç thotë ai, përcaktohet me Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Cakollit, barra më e madhe po i mbetet presidentes Vjosa Osmani, për të cilën thotë se është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë politike, për të parë se cilat kanë shumicën për të formuar qeverinë e re. Pas 10 ditësh nga këto konsultime, Osmani duhet të vendosë kujt t’ia japë mandatin.
“Ky mandat mund t’i jepet sërish partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose cilësdo parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi ‘kandidat tjetër’ nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri,” tha Cakolli.
I njëjti theksoi se nëse të gjitha partitë refuzojnë dhe dështojnë të bëjnë qeverinë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme: “Pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet”.
Sqarimi dhe propozimi i plotë i Cakollit se si duhet vendi të dalë nga kriza politike disamujore:
Presidentja është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare, për të vlerësuar cila prej tyre ka gjasat më të mëdha për të formuar shumicën në Kuvend. Kushtetuesja ka theksuar se ky nuk është një veprim formal, por një proces me përmbajtje reale, që duhet të reflektojë mundësinë faktike për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votave.
2. Pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Presidentja duhet të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë. Kjo është periudha më e ndjeshme politike dhe juridike e procesit.
Gjykata ka sqaruar se Presidenti i vendit nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e “gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë”, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese (relative) e zgjedhjeve.
Ky mandat mund t’i jepet SËRISH partisë fituese (nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë) ose CILËSDO parti tjetër (nëse ajo paraqet prova konkrete për mbështetje në Kuvend). Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi “kandidat tjetër” nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri.
3. Por, çfarë ndodh nëse asnjë parti nuk pranon të marrë mandatin – siç duket të jetë rasti aktual? Gjykata Kushtetuese ka qenë eksplicite në këtë pikë, duke mos e përjashtuar mundësinë që partitë ta refuzojnë marrjen e mandatit.
Nëse ndodh kjo – pra, asnjë subjekt nuk shpreh gatishmëri për të marrë mandatin e dytë, procesi praktikisht e humb qëllimin e tij politik dhe Presidentja nuk mund të vonojë pafundësisht vendimmarrjen.
Në një situatë të tillë, Presidentja, pasi të konstatojë mungesën e vullnetit për formim të Qeverisë, ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja.
4. Kushtetuta ofron rrugë të qartë për dalje nga bllokadat. Por, siç e ka theksuar vetë Gjykata Kushtetuese, mekanizmat kushtetues funksionojnë vetëm kur ekziston vullnet politik. Në mungesë të tij, zgjedhjet e reja janë zbatim i rendit kushtetues për rikthim të legjitimitetit politik dhe institucional.
5. Kur mund t’i kemi zgjedhjet e reja?
Nisur nga deklarimet e shumicës së partive parlamentare se zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme, si dhe duke u bazuar në afatet kushtetuese dhe ligjore – pas konstatimit potencial të mungesës së shumicës së nevojshme për formimin e Qeverisë së re, datat e mundshme për zgjedhjet e reja përfshijnë 30 nëntorin, 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, në varësi të ditës kur shpallen zgjedhjet.
