Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese nuk i dha komuniteteve ndonjë veto shtesë, por vetëm rikonfirmoi standardin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Ai shtoi se Gjykata ua rikujtoi të gjitha palëve, përfshirë deputetët e komunitetit serb, përgjegjësinë për të vepruar në interes të Republikës,
“Por kjo nuk nënkupton të drejtë të ndokujt për bllokadë. Përkundrazi, në të njëjtin vendim, Gjykata ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Pra, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi.
Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej.
Ajo çfarë po ndodh tani është sajesë e qartë për të zvarritur formimin e institucioneve. Ironia është se e gjithë kjo situatë, bashkë me diskursin e pritshëm kundër Gjykatës Kushtetuese, po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe rastin dhe “fitoren” në Gjykatë – me kalkulimet dhe arrogancën e tyre politike”, shkroi Cakolli.