Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore mund ta çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, për shkak të rrezikut për moszgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Cakolli tha se nëse rezultatet nuk certifikohen me kohë dhe vendi mbetet pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri, atëherë ekziston mundësia reale që të shpallen zgjedhje të reja.
“Rreziku është që të hyjmë në muajin shkurt ose mars pa pasur rezultate të certifikuara dhe kjo mund të na nxjerrë jashtë afatit për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Cakolli.
Ai theksoi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë Kushtetuta e parasheh shpalljen automatike të zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht nëse Kuvendi është konstituuar apo nëse është zgjedhur Qeveria.
“Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në afatin kushtetues, automatikisht shpallen zgjedhje të reja parlamentare”, u shpreh ai.
Cakolli shtoi se kapacitetet aktuale për rinumërim po e zgjasin procesin dhe po e shtyjnë certifikimin e rezultateve për disa javë.
“Edhe në skenarin më optimist, po flasim për të paktën tri javë të tjera deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve nga KQZ-ja”, deklaroi ai.
Sipas tij, kjo situatë krijon një paradoks institucional, ku vendi mund të përballet me zgjedhje të reja pa e përmbyllur ende procesin aktual zgjedhor.
