Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 shkurtin si datë të konstituimit të legjislaturës së re të kuvendit, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje ai ka theksuar se vendi gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese, ku sipas tij, kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje.
“Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj. Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurinë në shoqërinë tonë”.
“Sanksionet e Bashkimit Evropian që rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, tha Tahiri.
Ai tutje u shpreh se në këto kushte, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo, siç sipas tij, është parë gjatë katër viteve të fundit është më se e domosdoshme.
“Kosova mundet #mamirë me një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza, e cila do të jetë në gjendje të adresojë efektivisht sfidat e shumta që e presin vendin”.
“Qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”, tha ai. /Gazeta Enigma/