Cana në takim me Krasniqin shprehet optimist se nga Kosova do të ndalin sportistë të tjerë si Majlinda

Cana në takim me Krasniqin shprehet optimist se nga Kosova do të ndalin sportistë të tjerë si Majlinda

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka pritur sot legjendën e futbollit mbarëshqiptar, Lorik Cana.

Presidenti Krasniqi, që shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidenti Gazmend Maxhuni, anëtari i Bordit Ekzekutiv, Musa Selimi dhe këshilltari i tij Besim Aliti, shprehu kënaqësin që një sportist që ka lënë gjurmë në futbollin evropian, siç është Lorik Cana, vizitoi KOK-un.

“Këto ditë kam pasur vizita të shumta, por sot na ka nderuar legjenda e gjallë e sportit mbarëshqiptar, Lorik Cana. Vizita e tij na jep motiv dhe kurajo për të punuar në avancimin e sportit tonë, ndërsa këshillat e Lorikut dhe mbështetja e tij, do të jenë vlerë e shtuar për ne”, tha Krasniqi.

I pari i KOK-ut u pyet edhe për numrin e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, si dhe për synimet tjera.

“Deri tani kemi nëntë sportistë, gjashtë prej të cilëve më normë, por presim që edhe sportistë tjerë të fitojnë normën. Për të arritur deri në Tokio 2020 dhe për të fituar normën duhet një punë katër-vjeçare. Rezultatet e xhudos ndër vite na bëjnë të jemi optimist se suksesi sërish nuk do të mungojë”, shtoi presidenti Krasniqi.

Ish-kapiteni shumëvjeçar i Shqipërisë, Lorik Cana, duke falënderuar presidentin Krasniqi për pritjen, e cilësoi kreun e KOK-ut person të pasionuar për zhvillimin e sportit në Kosovë.

“Lidhja dhe historiku i përfshirjes sime në përfaqësimin e sportit mbarëkombëtar, në veçanti në Kosovë, daton prej vitesh me ish-presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, duke lobuar për të drejtat e sportit dhe sportistëve të rinjë në Kosovë, veçanërisht futbollistëve. Tani mikut tim, Ismetit, dua t’ia konfirmoj mbështetjen time të plotë në zhvillimin e sportit dhe strukturave të KOK-ut, në cilësi konsulence dhe forma tjera. Jam vërtetë i gëzuar që është në krye të këtij institucioni”, theksoi ndër të tjera, Cana.

Ish-futbollisti i shumë skuadrave evropiane, foli edhe për kampionen olimpike, Majlinda kelmendi, për të cilën tha se, tanimë nuk është vetëm ambasadore e sportit tonë, por legjendë e sportit mbarëshqiptar, duke uruar që krahas sportit të xhudos, edhe sportet tjera të arrijnë rezultate të mira.

Tutje, Cana i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me Kombëtaren e Kosovës në futboll, e të cilën e vlerësoi lartë, pastaj për Superligën e Kosovës dhe klubin e Vëllaznimit të Gjakovës.

Presidenti Krasniqi i dhuroi librin foto-reportazh “Debutimi i artë”, kushtuar kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, një orë dore me simbole të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, ndërsa Lorik Cana, i nënshkroi presidentit fanellën e Kombëtares së Kosovës në futboll.

Related Articles