Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka thënë që vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Kosovë është historike.
Cana në një intervistë, ka thënë që kjo vizitë ka më shumë karakter regjional.
“Vizita e kancelarit gjerman në Kosovë, është e vërtetë që është një vizitë historike, jo në nivel bilateral, por më shumë në kontekstin regjional. Kjo vizitë ka karakter regjional dhe mendoj që po krijohet një momentum i duhur që ta ringjallin këtë proces të vdekur [Procesin e Berlinit], i cili e komplementon procesin e integrimit, apo i ndihmon gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian”.
“Ne e kemi përcjellë procesin e integrimit që nga samiti i Selanikut dhe mund të them që them që është shumë dëshpëruese në cilën situatë gjendet procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, nuk ka vullnet politik dhe nuk ka pasë vullnet politik për ta shtyrë procesin”, tha ai.
Tutje Cana e ka komentuar edhe deklaratën e kancelarit Scholz, sa i përket ringjalljes së Procesit të Berlinit.
“Për nga përvoja nuk jam shumë optimist, e kemi parë që procesi i Berlinit në njëfarë forme ka pasë karakter simbolik; në vitet e kaluara kemi pasë një vendim që e përmendi Kurti i nënshkrimit të disa iniciativave që i shërbejnë platformës së integrimit, fillimisht të rajonit brenda vetes (tregu i përbashkët rajonal) i cili në njëfarë forme është nuk dallon edhe nga ‘Open Ballkan’ është një gjë.
Ish-ambasadori tha që Serbia e ka për qëllim që ta zgjasë procesin e negociatave në pafundësi dhe ta dobësojë pozitën e Kosovës.
“Nëse ka frikë qeveria e Kosovës që Serbia do ta dominojë tregun, atëherë përmes procesit të Berlinit të njëjtën gjë do ta bëjë. Mendoj që problemi kryesor është që Serbia e ka për qëllim që ta zgjasë procesin e negociatave në pafundësi, ta dobësojë pozitën e Kosovës dhe mosgatishmëria e Kosovës që të tregohet konstruktive në dialog po e dëmton Kosovën, sepse ne duhet të tregohemi të gatshëm, jo që të bëjmë çfarëdo kompromisi, por duhet të tregojmë që jemi të gatshëm për një marrëveshje”.
“Kjo pasi ‘status quo’ i shërben Moskës dhe interesave të Beogradit dhe qëllim i Beogradit ka qenë që ta përdorë platformën e procesit të Berlinit dhe platformat e tjera si instrument për ta përshpejtuar procesin e integrimit të vet në Bashkim Evropian”, tha ai.