Catherine Ashton rrëfen për vështirësitë në dialog dhe ndikimin rus në Ballkan

Catherine Ashton rrëfen për vështirësitë në dialog dhe ndikimin rus në Ballkan

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulen në tavolinën e negocimit dhe të gjejnë përgjigje për mospajtimet e tyre.

Ajo ka thënë se e ardhmja e tyre varet nga marrëdhëniet që krijojnë me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.

Në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Ashton ka reflektuar për kohën sa e ka ndërmjetësuar dialogun mes këtyre dy vendeve dhe se si e vlerëson kontributin e saj në këtë proces.

Ajo ka folur për përvojën si diplomate në librin e saj më të ri. “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX”, i cili ka shërbyer si arsye për intervistë.

Ashton, ndër tjerash, ka folur edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në dialog, nëse Bashkimi Evropian po bën mjaftueshëm për ta mbajtur afër Ballkanin Perëndimor, dhe për ndikimin rus dhe atë kinez në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Në librin tuaj të ri, “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX” (And Then What? Inside Stories of 21st-Century Diplomacy”), ju keni thënë se nuk e keni shijuar pozitën e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, por keni pasur edhe momente të mira. Çfarë ka qenë më e vështirë për ju? Karakteristikat e negociatorëve, të cilët i keni ndërmjetësuar, apo situatat, kur secili humb pak, ashtu që të arrihet kompromisi?

Catherine Ashton: Ka qenë e vështirë t’i shoh sfidat, me të cilat përballen shumë njerëz për shkak të konfliktit, kaosit apo ndonjë katastrofe. Për secilin që tenton të ndihmojë, ekziston gjithmonë një ndjesi që nuk bën kurrë mjaftueshëm – dhe unë natyrisht jam ndier ashtu. Kënaqësia dhe përmbushja kanë ardhur në momentet kur kam besuar se kam arritur të bëj dallimin.

Nuk ka të bëjë vetëm me humbjen – disi kompromisi është bërë fjalë që nuk e duam. Në negociata ju kërkoni zgjidhje për problemet, sidomos për ata që kanë probleme. Kompromisi vjen prej mbajtjes së fokusit kah e ardhmja, tentimet për të gjetur se çfarë është më e mira për një komunitet apo një shtet, dhe marrja e vendimit se çka është më e rëndësishme. Negociatorët e mirë punojnë me qetësi dhe vazhdimisht bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Related Articles