Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin i ka dërguar një letër urimi presidentit të FFK-së, Agim Ademi me rastin e 6-vjetorit të anëtarësimit të FFK-së në UEFA.
“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, dua të falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës që është anëtare e vlefshme e familjes evropiane të futbollit. Keni bërë një rrugë të gjatë në një kohë kaq të shkurtër. Duke e ndjekur vizionin e qartë të cilin e krijoi miku ynë i dashur Fadil Vokrri, FFK-ja e ka përmirësuar në mënyrë strategjike infrastrukturën e futbollit në mbarë vendin, gjë që do të mundësojë lulëzimin e mëtejshëm si të futbollit bazik ashtu edhe atij elitar”, ka shkruar i pari i UEFA-s.
Tutje Çeferin është shprehur i lumtur që sot FFK përfiton nga programet e shkëmbimit të njohurive dhe investon në edukim, e i cili sipas tij do të ndikojë pozitivisht dhe do të frymëzojë suksesin në të gjithë piramidën e futbollit.
“Shumë nga këto projekte u mbështetën nga programi ynë i zhvillimit ‘HatTrick’ dhe jemi të lumtur që ne mund të jemi aty për ju, ndërsa hidhnit hapat e parë në skenën ndërkombëtare. Të jeni të sigurt se UEFA do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i FFK-së. Gjithashtu do të doja t’ju falënderoja që na qëndruat pranë në këto kohë të trazuara kur ne kemi mbrojtur me sukses thelbin e vërtetë të futbollit, pavarësisht të gjitha pengesave. Futbolli na lejon të ëndërrojmë shumë. Kombëtarja juaj tashmë ishte në prag të kualifikimit për një turne të madh evropian. Pra, i dashur Agim, vazhdo të ëndërrosh suksesin dhe puno fort për ta arritur atë. Me pasion të vërtetë dhe përkushtim, gjithçka është e mundur. I uroj federatës suaj të futbollit shumë vite suksese dhe prosperitet si brenda edhe jashtë fushës”, ka shkruar tutje presidenti Çeferin.