Qeveria çeke njoftoi se punonjësit e shtetit që kanë marrë vaksinën e tyre kundër COVID-19 do të kenë të drejtë të marrin dy ditë pushimi me pagesë.
Pushimi është i vlefshëm deri në fund të vitit 2021, tha kryeministri çek Andrej Babish në një konferencë shtypi në Pragë.
Babish inkurajoi qeveritë rajonale dhe lokale të ndjekin shembullin, si dhe nxiti kompanitë private të inkurajojnë punonjësit e tyre që të marrin vaksinën, raporton euronews.
Disa, përfshirë prodhuesin e veturave Skoda, tashmë kanë ofruar stimuj për të inkurajuar punëtorët e tyre që të marrin vaksinën, shtoi kryeministri.
Vendimi për të ofruar ditë pushimi falas për ata që vaksinohen është kritikuar nga partitë opozitare, të cilat e hodhën poshtë si një gjest populist përpara zgjedhjeve legjislative të tetorit.
Vendi me 10.6 milionë banorë ka regjistruar 30.363 vdekje që nga fillimi i pandemisë dhe më shumë se 1.6 milionë raste me COVID-19.
Rreth 62.6 për qind të popullsisë së rritur të Çekisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 54.2 për qind tani është plotësisht e vaksinuar, sipas gjurmuesit të vaksinave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.