Çeku e uron Ramën për fitorën në Prishtinë

Çeku e uron Ramën për fitorën në Prishtinë

Kandidati për kryetar nga LVV, Hajrulla Çeku, e ka uruar Përparim Ramën për fitorën në Prishtinë, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postiumi në Facebook ka thënë se “kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë”.

“Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë”.

“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi. Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”, ka shkruar ai.

“Faleminderit ekipit të jashtëzakonshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistëve, vullnetarëve, kandidatëve, shtabit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën, përkushtimin dhe besimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj fushate. Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë”, ka përfunduar Çeku.

Related Articles