Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot ka filluar pranimi i 87 veprave artistike të blera nga Ministria e Kulturës për vitin 2022, këtë e ka bërë të ditur vete ministri i Kulturës Hajrullah Çeku përmes një postimi në rrjete sociale.
“Së shpejti, të gjitha këto vepra do të ekspozohen për publikun, fillimisht në Galerinë Kombëtare, e më tutje në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku do të qëndrojnë për një kohë më të gjatë. Plani afatgjatë për ekspozimin e veprave të reja të blera nga artistët vendorë ka për bazë vendosjen e tyre nëpër institucione publike të Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit”, ka shkruar Çeku.
Ai po ashtu ka shkruar se vitin e ardhshëm, përveç blerjes me thirrje publike, do të fillojë edhe blerja direkte e veprave të artit.