Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Agim Çeku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, sa i përket fushës së sigurisë, përkatësisht Ushtrisë së Kosovës.
Çeku tha se Kurti është “njeriu i fundit që mund të lëvdohet se ka bërë diçka për Ushtri”.
“Nuk ka shtet pa ushtri, ne këtë e kemi arritur. Njeriu i fundit që mund të lëvdohet se ka bërë diçka për ushtri është Albin Kurti. Ushtrinë e kemi filluar me UÇK e TMK”, tha Çeku.
Ish-kryeministri i Kosovës po ashtu tha se vendi në pesë vjetët e fundit “është qeverisur nga një mentalitet i gabuar e komunist”.
“Kosova është keq. Keq është Kosova sepse po qeveriset nga një mentalitet i gabuar. Ky mentalitet qeverisës është ajo që mua më brengos më së shumti. Vet fakti që quhet Vetëvendosje domethënë është një term komunist i kohës së kaluar. Vet emërtimi ka dalë nga mentaliteti që ata kanë”, tha Çeku.
“Por historia e tregon që gjithmonë kemi dalë fitues kur kemi qenë në koordinim”, shtoi ai.
