Numri një i qeverisë së futbollit botëror, Gianni Infantino ka zbarkuar sot në Kosovë, ku edhe ka zhvilluar disa vizita te krerët më të lartë të institucioneve te vendit.ADVERTISING
Gjatë agjendës së tij, Infantino u takua edhe ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çekun.
Çeku tregoi se ishte nder i veçantë ta priste Infantinon në kabinetin e tij, ku qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për një vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
“Nder i veçantë që sot të pres në kabinetin tim Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Me Infantinon dhe ekipin e tij, përfshirë legjendën e futbollit, Youri Djorkaeff, ndamë mendime dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
Me qëllim të kultivimit të pasionit dhe talentit të natyrshëm të të rinjve tanë në futboll, zhvilluam diskutim produktiv me fokus të veçantë në infrastrukturën fizike të sportit të futbollit dhe përfshirjen e futbollit në sistemin arsimor të Kosovës”, shkroi Çeku në “Facebook”.
Po ashtu, Çeku zbuloi se së bashku me Infantinon kanë arritur një akord, lajm ky që është i mirë për programin tonë shtetëror “Sporti në Shkolla”.
“Përveç diskutimit, u dakorduam që të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për konkretizim të bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla” në programin tonë shtetëror ‘Sporti në Shkolla’.
Rruga që duhet të ndjekim për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sportit të futbollit është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i thellë ndërmjet organizatave sportive vendore dhe ndërkombëtare dhe institucioneve relevante të sportit”, shkruante më tej Çeku.