Çmimi më i madh individual për një futbollist padyshim që është ‘Topi i Artë’, çmim që jepet nga prestigjiozja franceze France Football.
Tapeti i kuq do të jetë plot me emrat më të mëdhenj të futbollit botëror në Paris të hënën mbrëma, ndërsa do të shpallet fituesi i çmimit të Topit të Artë 2022.
Ceremonia që nis nga ora 20:30 do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin televiziv “SuperSport 2”.
Favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë këtë vit është sulmuesi francez Karim Benzema pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Real Madridin, ku fitoi edhe Ligën e Kampionëve dhe titullin e kampionit në La Liga.
Për herë të parë pas 17 vitesh futbollisti më i mirë në histori, Lionel Messi nuk është përfshirë në rrethin e ngushtë të 30 lojtarëve për ta fituar trofeun individual më të çmueshëm në botë.