Friksioni përbrenda mbledhjes pesë orëshe – më të gjatën ndonjëherë në historinë e LDK’së – del të ketë qenë serioz. Me “një anëtar” duke vënë në pikëpyetje hierarkinë, më së larti ku banon Lumir Abdixhiku si kryetar.
Ky i fundit, siç zbuloi Doarsa-Kica Xhelili, Nënkryetare, ofroi të thirrej Këshilli i partisë për të testuar flakën e një tymi dyshues ndaj tij: i.e, që të rikonfirmohet përmes votës si i pari i partisë.
Por, ky person që e ngriti brenda mbledhjes s’del të ketë qenë Avdullah Hoti – ndonëse ishte ky i fundit që kërkoi largim të Abdixhikut nga posti më i lartë drejtues i partisë përmes një elaborati në Facebook.
Kica-Xhelili në “Debat Plus” shpaloi copëza tensioni brenda asaj mbledhjeje – kur u pyet, dhe ku u shpjegua – për deklaratën e saj reaguese ndja Avdullah Hotit, për çka pati thënë se qëndrimet e Hotit të shprehura në atë postim ishin “qesharake”.
Pikësëpari…
Kica-Xhelili (s’)i qëndroi reagimit të saj ndaj Avdullah Hotit, për “qesharake”-n.
Për shkak se në mbledhjen pesë orëshe Hoti s’i kishte shtruar asnjë nga gjërat që i kishte shkruar në postimin e tij të gjatë, Kica-Xhelili tha se e gjeti veten “të surprizuar” dhe se reagimi ishte “reaksional” – rrjedhimisht edhe se shprehja e tillë e ka gjetur veten në ato tone.
Për të, Avdullah Hoti “është figurë kyçe” në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Arsyeja se pse unë kam qenë e suprizuar…në fund të fundit ne jemi njerëz, kur dikush na thërret në telefon shpejt e shpejt jo secili nga ne artikulojmë njësoj, dhe mua sinqerisht në atë moment më është dukur qesharake”, tha ajo.
Për tri arsye, tha ajo: Abdixhiku është votuar unanimisht si kryetar – e ka rritur votën e partisë për 70% – dhe se ka tejkaluar secilin lider partie duke marrë mbi 86% të votës së elektoratit të LDK-së (përjashto Rugovën).
Reagimi i Hotit në Facebook që u bë brum për debatin më të madh për LDK qe një kohë të gjatë, sipas Kica-Xhelilit, ishte befasuese “sepse biseduam pesë orë për këto çështje”.
“Dhe, në mbledhje të kryesisë është ngritur në diskutim nga një anëtar tjetër – s’po ia përmend emrin…Dhe më pas zoti Hoti kur mori fjalën nuk e riartikuloi…Dhe më pas zoti Abdixhiku menjlherë e ofroi mbledhjen e Këshillit”, tha ajo.
“Tha unë duke pas parasysh që kërkohet votë në kryesi për të më konfirmuar mua, po ju liroj nga kjo domosdoshmëri. Abdixhiku insistoi se s’ka lidhje, po e thërras këshillin e po e tejkalojmë nevojën për votë në kryesi”.
Në krejt këtë tregim, Doarsa Kica-Xhelili, referuar Hotit – e ktheu në atë që në mbledhje: “Askush nuk tha hajde po e thirri Këshillin”.
“Dhe duke dalë nga kjo mbledhje me përmbyllje të një diskutimi të tillë ku nuk u gjet mbështetja, as përvotim në kryesi…natyrshëm që unë do të surprizohem nga qëndrime të tilla”.
“A ishte fjala e duhur, mund të mos jetë. Mund të ketë fjalë më të denja. Mos e trajtoni si një elaborim që unë ia bëj figurës së tij…”, shtoi ajo.