Çfarë akuza iu bën Bashës nga Partia Socialiste pesë vjet më parë për financimin rus?

Çfarë akuza iu bën Bashës nga Partia Socialiste pesë vjet më parë për financimin rus?

Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 në përpjekje për të ndikuar te politikanët dhe zyrtarët e tjerë në më shumë se dy duzina vendesh, pretendon Departamenti i Shtetit i ShBA-së në një kabllogram të publikuar rishtazi.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Atë botë deputeti i Partisë Socialiste, Edvin Bushati, i pati kërkuar kryetarit të atëhershëm të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të japë sqarime para drejtësisë dhe shqiptarëve për lidhjet e tij me kompaninë ruse.

“Një kompani e regjistruar në parajsa fiskale, e zotëruar nga dy biznesmenë rusë, jo vetëm që deklaron një pagesë prej 150 mijë dollarësh të tjera në favor të firmës lobuese të Lulzim Bashës, por në kontratën e saj parashikohet edhe një tjetër pagesë prej gjysmë milioni dollarësh, të cilën Lulzim Basha nuk e mohon, por refuzon të tregojë burimin e kësaj shumës tjetër prej gjysmë milion dollarësh”.

“Pra, gjysmë milionë dollarë i paskan shkuar firmës private nga 100 shqiptarë, për të cilët Lulzim Basha vetëm ka dëgjuar që ekzistojnë por nuk i di as kush janë; gjysmë milioni tjetër, sipas Lulzim Bashës, firma i paska marrë nuk dihet se nga kush dhe i paska vënë në dispozicion të tij e të Partisë Demokratike për të paguar propagandën opozitare kundër Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Madje, Bushati këtë ngjarje e pati cilësuar si ngjarje kriminale që nuk turpëron vetëm autorët, por gjithë klasën politike.

“Kjo është një nga ato ngjarje kriminale e amorale që e ulin aq poshtë politikën, sa nëse mbeten të pandëshkuara, nuk turpërojnë vetëm autorët e ngjarjes, por të gjithë klasën politike dhe vetë shoqërinë e shtetin ku ndodhen”.

“Ai duhet të tregojë po ashtu, pse janë paguar nga kompania ruse “Biniatta Trade LP” 500 mijë dollarë për PD-në, siç del në kontratën e kësaj të fundit? Çfarë arsyeje kanë pasur rusët në fjalë të paguajnë Lulzim Bashën? Dhe po ashtu, Lulzim Basha duhet të përgjigjet në Prokurori se çfarë janë ato 500 mijë dollarë të tjerë, që ai thotë se janë paguar nga 100 shqiptarë në ShBA? Kush janë këta shqiptarë që kanë hedhur lekët e kanë fshehur dorën, sipas Lulzim Bashës?”.

Bushati, mes tjerash, pati thënë se Basha duhet të tregojë se çfarë u ka premtuar sipërmarrësve rusë.

“Çfarë mund t’u ketë premtuar lideri i opozitës sipërmarrësve rusë në kulmin e fushatës elektorale, vetëm pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme? Këto përgjigje Lulzim Basha ka detyrimin t’i japë përpara opinionit publik shqiptar, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

“E sigurisht duhet t’i japë përpara institucioneve të drejtësisë, detyra e të cilave është të hedhin dritë një orë e më parë mbi “sallatën ruse” të gatuar nga Lulzim Basha”, pati thënë Bushati më 2018./oranews/

Related Articles