Çfarë dihet për linë e majmunëve të shpallur emergjencë globale nga OBSH-ja?

Çfarë dihet për linë e majmunëve të shpallur emergjencë globale nga OBSH-ja?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi të mërkurën se përhapja e madhe e lisë së majmunëve – e njohur si mpox – në Afrikë, është emergjencë globale për shëndetin publik, duke paralajmëruar se ajo mund përfundimisht të përhapet në gjithë botën.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e bëri këtë njoftim pas një takimi të komitetit për emergjenca të agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara. Qendra Afrikane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve e shpalli të martën linë e majmunëve emergjencë për shëndetin publik në kontinent afrikan.

OBSH-ja ka thanë se janë shënuar 14.000 raste dhe 524 vdekje këtë vit në Afrikë, duke tejkaluar shifrat e vitit të kaluar.

Deri tani, mbi 96 për qind e të gjitha rasteve dhe vdekjeve kanë ndodhur në vetëm një shtet – në Kongo.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) tha të enjten se në Kosovë nuk ka asnjë rast me linë e majmunëve dhe as vend për panik, por bëri thirrje për kujdes.

Shkencëtarët janë të shqetësuar nga përhapja e një versioni të ri të kësaj sëmundjeje në Kongo, i cili mund të bartet më lehtë mes njerëzve.

Më poshtë mund të lexoni se çfarë dimë për linë e majmunëve dhe çfarë mund të bëhet për ta frenuar atë:

Çfarë është lija e majmunëve?

Lija e majmunëve, e njohur edhe si monkeypox, u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958, kur nuk kishte përhapje të sëmundjeve të llojit të “pox”-it te majmunët. Deri së voni, shumica e rasteve te njerëzit kanë ndodhur në Afrikën qendrore dhe atë perëndimore, pasi ata kishin kontakt të afërt me kafshët e infektuara.

Më 2022, u konfirmua për herë të parë përhapja e virusit edhe përmes seksit, duke shkaktuar përhapjen e tij në më shumë se 70 vende të botës, në të cilat nuk kishte pasur raste të raportuara me mpox në të kaluarën.

Mpox i takon të së njëjtës familje të viruesve si smallpox, por shkakton simptoma më të forta si, temperaturë, ethe dhe dhimbje trupi. Në rastet më të rënda, të prekurve mund t’iu shfaqen plagë në fytyrë, duar, gjoks dhe organe gjenitale.

Çfarë po ndodh në Afrikë që e ka shkaktuar gjithë këtë shqetësim?

Numri i rasteve është rritur bujshëm. Javën e kaluar, Qendra Afrikane për Parandalimin dhe kontrollimin e Sëmundjeve raportoi se lija e majmunëve është vërejtur në së paku 13 shtete afrikane. Agjencia tha se kjo është një rritje prej 160 për qind e rasteve dhe një rritje prej 19 për qind e vdekjeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në fillim të këtij viti, shkencëtarët raportuan për arritjen e një lloji të ri të lisë së majmunëve në një qytezë miniere në Kongo, i cili vrau rreth 10 për qind të banorëve dhe thanë se ai ka mundësi të përhapet me lehtësi.

Për dallim nga shpërthimet e virusit të lisë së majmunëve (mpox) në të kaluarën, kur plagët shiheshin vetëm në gjoks, duar dhe këmbë, forma e re e këtij virusi shkakton simptoma më të forta dhe plagë shfaqen edhe në organe gjenitale. Kjo e bën më të vështirë vërejtjen e sëmundjes, që nënkupton se njerëzit mund t’ua bartin atë të tjerëve pa e ditur se janë të prekur.

OBSH-ja tha se mpoxi u identifikua së voni për herë të parë në katër vende të Afrikës lindore: Burundi, Keni, Ruandë dhe Ugandë. Tedros ka thënë druhet se kjo sëmundje mund të përhapet edhe më gjerë brenda dhe jashtë Afrikës.

Në Bregun e Fildishtë dhe Afrikën e Jugut, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për shpërthimin e një versioni tjetër, më pak të rrezikshëm, të lisë së majmunëve, i cili u shpërnda në gjithë botën më 2022.

Çfarë nënkupton shpallja e emergjencës globale?

Shpallja e emergjencës globale nga OBSH-ja ka për qëllim t’i nxisë donatorët dhe shtetet të veprojnë. Megjithatë, reagimi botëror ndaj shpalljeve të emergjencave në të kaluarën ka qenë i përzierë.

Drejtori i Qendrës Afrikane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, Jean Kaseya, tha se shpallja e emergjencës globale ka për qëllim “mobilizimin e institucioneve, vullnetit tonë të përbashkët dhe resurseve tona, për të vepruar menjëherë dhe me vendosmëri”.

“Është e qartë se strategjitë e tanishme për kontroll nuk janë duke dhënë fryt dhe nevoja për më shumë resurse është e dukshme”, tha Michael Marks, profesor i mjekësisë në Shkollën e Londrës për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale.

Cili është dallimi mes virusit të tanishëm në Afrikë dhe epidemisë së vitit 2022?

Gjatë përhapjes globale të lisë së majmunëve më 2022, burrat homoseksualë dhe biseksualë përbënin shumicën dërrmuese të rasteve dhe virusi u shpërnda kryesisht përmes kontaktit të ngushtë, përfshirë përmes seksit.

Megjithëse raste të ngjashme janë parë në Afrikë, fëmijët nën moshën 15-vjeçare përbëjnë tani më shumë se 70 për qind të rasteve me linë e majmunëve dhe 85 për qind të vdekjeve në Kongo.

Para takimit emergjent, Tedros tha se zyrtarët janë duke u përballë me përhapjen e disa llojeve të lisë së majmunëve në vende të ndryshme, të cilat kanë “modele të ndryshme të ngjitjes dhe shkallë të ndryshme të rrezikut”.

“Ndalimi i këtyre përhapjeve do të kërkojë përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të posaçme”, tha ai.

Greg Ramm, drejtor i organizatës Save the Children në Kongo, tha se organizata është e shqetësuar në veçanti për përhapjen e lisë së majmunëve në kampet e mbipopulluara për refugjatët në lindje, duke thënë se ka 345.000 fëmijë “në tendat e ngjeshura dhe pa kushte higjienike”.

Ai shtoi se sistemi shëndetësor i vendit është duke “kolapsuar” për shkak të rasteve të mëdha të kequshqyerjes, fruthit dhe kolerës.

Mjekja Boghuma Titanji, eksperte për sëmundjet ngjitëse në Universitetin Emory, tha se nuk është e qartë pse fëmijët janë goditur kaq shumë nga lija e majmunëve në Kongo.

Ajo tha se mund të jetë për shkak se fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj virusit. Faktorë të tjerë, si mbipopullimi dhe ekspozimi ndaj prindërve, mund të jetë shkaktarë gjithashtu, sipas saj.

Si mund të ndalet lija e majmunëve?

Përhapja e lisë së majmunëve në dhjetëra vende më 2022 u frenua kryesisht me përdorimin e vaksinës dhe mjekimin e saj në vendet e pasura, përveç bindjes së njerëzve për t’i shmangur sjelljet e rrezikshme. Megjithatë, në Afrikë zor se mund të gjesh vaksina apo mjekim.

Marks tha se vaksinimi me gjasë do të ndihmonte, përfshirë vaksinimi i njerëzve kundër variantit tjetër të lisë së majmunëve – smallpox.

“Ne kemi nevojë për një sasi shumë të madhe të vaksinave, në mënyrë që të mund t’i vaksinojmë njerëzit që janë më së shumti në rrezik”, tha ai, duke shtuar se kjo nënkupton edhe punonjësit e seksit, fëmijët dhe të rriturit që jetojnë në rajonet e prekura nga virusi.

Kongo ka thënë se është në bisedime donatorë për dhurimin e mundshëm të vaksinave dhe se ka pranuar ndihmë financiare nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

OBSH-ja i ka ndarë tashmë 1.45 milion dollarë nga fondi i vet emergjent për të ndihmuar në luftimin e lisë së majmunëve në Afrikë, por ka thënë se i nevojiten edhe 15 milionë dollarë shtesë për këtë.

Related Articles