Portierët nuk do të përjashtohen nga marrja e kartonëve të kaltër, sipas një rregulli të ri që po diskutohet tash e një kohë.
Javën e kaluar “The Telegraph” raportoi se ligjvënësit nga Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) kishin miratuar një nga ndryshimet më të mëdha në botën e futbollit.
Rregullat e reja të propozuara lidhen me futjen e një kartoni ngjyrë të kaltër, i cili do të sanksiononte një lojtar me 10 minuta largim nga fusha e lojës, për kryerjen e një faulli ose për shfaqje të kundërshtimit ndaj gjyqtarëve.
Megjithatë, duhet theksuar se ka pasur kundërshtime të konsiderueshme nga klubet, lojtarët dhe FIFA ndaj propozimit.
Edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka deklaruar se ai nuk është mbështetës i “sin bins” në futboll. “Sin bin” në disa sporte nënkupton një zonë jashtë fushës së lojës, ku mund të dërgohet një lojtar që ka bërë diçka që është kundër rregullave.
Një raport i ri tani nga “The Telegraph” thotë se edhe portierët do të mund të marrin kartonë të kaltër, por jo edhe trajnerët.
“Nëse një portier ndëshkohet me karton të kaltër, atëherë skuadra e tyre do të detyrohet të zgjedhë midis vendosjes së një lojtari (në portë ose kryerjes së një zëvendësimi të përhershëm. Por, nëse një skuadër i ka shfrytëzuar tashmë zëvendësimet e tyre, një lojtar do të duhet të futet në portë – ngjashëm siç ndodh edhe tani kur një portier përjashtohet”.
Sa i përket trajnerëve, ata thuhet se “do të vazhdojnë të marrin kartonë të verdhë për shfaqjen e mospajtimit nga jashtë fushës, ose të kuq për mospajtim të vazhdueshëm ose çështje më serioze”.
Kujtojmë se sa i përket këtij rregulli, më herët ishte bërë e ditur se nëse një lojtar merr dy kartonë të ose një karton të verdhë dhe një të kaltër, ai pastaj do të ndëshkohet me karton të kuq.
Testimi i kartonit të kaltër në futboll mendohet të bëhet në ndeshjet e Kupës FA në Angli.