”Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike“, kështu thotë Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), teksa ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës e cila drejtohet nga Albin Kurti.
Hoti duke iu referuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thotë se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht.
”Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm“, ka thënë ai.
Më tutje, sipas Hotit çmimet do të ishin më të lira sikur ekzektutivi të vepronte – ta hiqete TVSH-në.
”Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë“, ka thënë ai.
”Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 mil euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi”, ka deklaruar ai.
Po ashtu thotë se Qeveria është duke i zhvlerësuar paratë – duke mos investuar në asnjë segment.
”As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike“, ka deklaruar ai.