Politikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.
Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.
Ajo është larguar nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin – çdo hap mund të marrë vite – ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.
Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.
Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës.
Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.
Çfarë do të ndodhë me të djathtën ekstreme të Francës?
Jordan Bardella – i cili është emëruar lideri zyrtar i Tubimit Kombëtar më 2021 dhe është konsideruar pasardhësi i Le Penit – vazhdon të mbetet i panjollosur nga skandali, të paktën drejtpërdrejt.
Por, a mundet Bardella të ketë të njëjtën fuqi tërheqëse sikurse Le Peni? Duke qenë vetëm 29 vjeçar, ai konsiderohet shumë i ri dhe pa ndonjë përvojë.
Ndonëse Tubimi Kombëtar ka arritur të dalë i pari në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershorin e vitit të kaluar, dështimi i partisë për të përsëritur atë sukses në zgjedhjet parlamentare të mbajtura po atë verë, pati ngritur dilema lidhur me qëndrueshmërinë.
Mbetet të shihet se si do të përgjigjet elektorati ndaj vendimit.
Shumë politikanë janë tronditur nga kritikat e bëra prej nënpresidentit amerikan JD Vance më herët gjatë vitit për anulimin e rezultatit të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, pas dyshimeve për ndërhyrje ruse në emër të kandidatit të pavarur, Calin Georgescu, i cili pati befasuar të gjithë kur ka dalë i pari.
“Ne mund të presim goditje të ngjashme edhe këtë herë, pasi shumë pjesëtarë nga e djathta populiste do ta quajnë këtë ‘aferë ligjore’ kundër politikanëve që nuk konsiderohen të zakonshëm, dhe Marine Le Pen sapo është bërë kthyer në ‘kauzën e tyre të famshme’, e cila mund t’i shtyjë ata të fitojnë edhe më shumë popullaritet”.