Administrata Trump ka propozuar një plan paqeje me 21 pika për Gazën, i cili kërkon lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi brenda 48 orëve nga arritja e një marrëveshjeje dhe përcakton një plan veprimi për Gazën sapo të përfundojë lufta, sipas një burimi të njohur me propozimin.
Ndërkohë, sulmi i Izraelit në enklavë vazhdon, me ushtrinë që ka përshkallëzuar ofensivën e saj në ditët e fundit dhe ka detyruar shumë njerëz të largohen nga qyteti i Gazës, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po hyjnë më thellë në zonën urbane.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të premten, megjithatë, u zotua të vazhdojë luftën derisa Hamasi të shkatërrohet, shkruan CNN. Plani mund të jetë problematik për Netanyahun, duke qenë se njeh aspiratat për një shtet palestinez, diçka që kundërshtohet me forcë nga anëtarët kryesorë të qeverisë së tij.
Lirimi i pengjeve, rreth 20 prej të cilëve mendohet se janë ende gjallë, do të bëhej në këmbim të një tërheqjeje graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas burimit.
Plani do t’i mohonte Hamasit çdo rol të ardhshëm në qeverisjen e Gazës, tha burimi. Në vend të kësaj, ai kërkon dy nivele qeverisjeje të përkohshme në territor. një organ ndërkombëtar gjithëpërfshirës dhe një komitet palestinez.
Nuk ka një afat kohor në propozimin që organi ndërkombëtar t’ia kalojë udhëheqjen e Gazës Autoritetit Palestinez (AP), i cili ushtron vetëqeverisje nominale në pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe përballet me kufizime të rënda nga Izraeli.
Plani nuk tregon se SHBA-të do të mbështesin krijimin e një shteti palestinez, por e njeh atë si një aspiratë të palestinezëve.