Sulmuesi nigerian i FC Prishtinës, Otto John ishte arrestuar muajin e kaluar pasi dyshohet se kishte marrë shërbime seksuale nga një viktimë e trafikuar.
Nigerianit i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Pas caktimit të masës së paraburgimit për një muaj, Oto John është duke u mbajtur nga prokuroria, e cila megjithatë nuk ka ngritur ende aktakuzë.
Lidhur me rastin, Insajderi ka kontaktuar me avokatin e Otto John, Egzonis Hajdari, i cili e konfirmoi se Otto John sot është marrë në pyetje nga prokuroria.
“Otto John sot është marrë në pyetje para prokurorisë së çështjes” , tha fillimisht Hajdari.
Ai theksoi se deri më tani nuk ka shkaqe mbi të cilat është bazuar prokuroria – duke theksuar se Ottos po i bëhet e padrejtë.
“Pas përfundimit të marrjes në pyetje të Oto John, si dhe referuar deklaratës së marrë nga dëshmitarja me datë 19 marj 2022, mbrojtja arrin në përfundim se edhe atëherë por edhe tani nuk egzistojnë shkaqe mbi të cilat është bazuar prokuroria në kërkesaj e saj për caktimin dhe vazhdimin e masës se paraburgimit.
“Nga e gjitha ajo që është deklaruar sot, nuk kemi gjetur prova dhe elemente fajsuese ndaj të mbrojturit tim, e të cilit në mënyrë të vazhdueshme po i bëhet e padrejtë, duke marrë për bazë edhe faktin se i njëjti është shtetas i huaj në vendin tonë; kjo lehtë verehet prej faktit se arsyeja e vetme e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është rreziku i ikjes” – tha avokati, Egzonis Hajdari.
Tutje, avokati i Otto John bëri të ditur se nesër, në cilësinë e mbrojtjes do ta dorëzojnë Ankesën kundër aktvendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj futbollistit.
“Ne shpresjomë që prokuroria të reflektojë dhe ta trajtojë në mënyrë të veçantë rastin e Otos, i cili dukshëm dallon nga të gjithë personat e tjerë të përfshirë në ketë rast. Pra, ashtu siç e ceka më lartë, Otos ështe duke ju bërë një padrejtësi e vazhdueshme e cila mund të rezultoj edhe me shkatrrimin e karrierës se tij, e që ne nuk duam të besojmë që është edhe qëllimi i prokurorisë. Në cilësinë e mbrojtjes, nesër do ta dorëzojmë Ankesën kundër Aktvendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj Oto John” – përfundoi Egzonis Hajdari.
Kujtojmë se, Otto John përveç lojtar i Prishtinës – në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat edhe të ekipeve si Trepça ’89 dhe Skënderbeu. Ndërsa mbetët ndër lojtarët e huaj më të spikatur në futbollin kosovar.