Ditë më parë në Kongresin meksikan u prezantuan dy kufoma “jo tokësore” (aliene), për të cilat thuhej se 30 për qind e ADN-së së tyre ishte e panjohur.
Ato u prezantuan para politikanëve nga një ekspert i vetë-përshkruar i UFO-ve i cili pretendoi se dy ‘speciet’ u morën nga qyteti Cusco i Perusë, transmeton Telegrafi.
Por, agjencia hapësinore amerikane NASA thotë se nuk e njeh natyrën e këtyre specieve që u prezantuan në Kongresin meksikan dhe se gjetjet e tyre i kishte parë vetëm në rrjetin social Twitter.
“Kjo është diçka që e kam parë vetëm në Twitter. Kështu kur keni gjëra të pazakonta, duhet t’i bëni ato të dhëna publike. Unë e mendoj këtë sikur NASA posedon një nga mostrat më të vlefshme nga hapësira kozmike: gurë hënorë për shembull. Çfarë bëjmë më pas? I bëjmë të disponueshme me të gjithë shkencëtarët që duan të punojnë në këtë”, tha David Spergel, njëherësh edhe president i Fondacionit Simons.
“Ne nuk e dimë natyrën e këtyre mostrave të prezantuara aty. Po të isha në vendin e qeverisë meksikane, nëse do të kishim diçka të çuditshme, do t’i bëja këto mostra të disponueshme për të gjithë komunitetin shkencor”, shtoi ai.
Paraqitja e këtyre “specieve jo-tokësore” në Kongresin meksikan ka bërë xhiron nëpër internet.