Teksa votimi në Kuvendin e Kosovës për presidentin e ri ka ndodhur sonte, po risjellim në vëmendje një aktgjykim për zgjedhjen e presidentit më 2011.
Në mars të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje në zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e presidentit.
Në aktgjykimin e publikuar u tha se për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë dhe për zgjedhjen e presidentit duhet të votojnë të paktën dy e treta e votave e të gjithë deputetëve.
Aktgjykimi sqaroi se një kandidat zgjidhet president në rast se në dy rundet e para fiton 80 vota, ndërkaq në të tretin nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votash.
Më 22 shkurt 2011, Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimit me 62 vota, në një seancë të bojkotuar nga një pjesë e opozitës. Në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë.
Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 30 mars 2011, interpretoi nenin 86 të Kushtetutës duke theksuar se formulimi “dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve” nënkupton pjesëmarrjen në votim të të gjithë 120 deputetëve, përveç atyre me leje mungese.
Sipas Gjykatës, vetëm pasi të provohet se nuk sigurohen 80 vota në dy rundet e para, mund të kalohet në rundin e tretë.
Duke qenë se në rastin e Pacollit në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ky kusht nuk ishte përmbushur dhe se procedura e zgjedhjes së presidentit kishte shkelur Kushtetutën.
