Çiftet në pritje të banesave të premtuara nga Kurti, Qeveria tregon çfarë po ndodh me projektin

Çiftet në pritje të banesave të premtuara nga Kurti, Qeveria tregon çfarë po ndodh me projektin

Alberti dhe bashkëshortja e tij, Arta, kanë shpresë se një ditë do të mund të sigurojnë një vendbanim të vetin në mesin e banesave që ka premtuar Qeveria e Kosovës për çiftet e reja.

Çifti, tash e një vit, jeton në një banesë me qira në Prishtinë.

“Nëse do të na mundësohej blerja e banesës sipas planit të Qeverisë, për ne do të ishte një zgjidhje jetësore”, thotë Alberti për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria aktuale e Kosovës, e cila është zgjedhur në mars të vitit 2021, ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore.

Sipas programit të saj, familjet përfituese do të bëheshin pronare të banesave me këste mujore prej vetëm 120, respektivisht 150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.

Përparësi do të kishin çiftet e reja, të cilat kanë mundësi të limituara financiare për të blerë banesa me çmime të tregut.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vjet prej se ky premtim është bërë formal, ndërtimi i këtyre banesave nuk ka filluar.

Në Qeverinë e Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë hartuar tashmë draftin e ri të projektligjit, sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit për programin e banimit social adekuat për Kosovën.

Thonë, po ashtu, se gjatë muajit gusht synojnë “ta kompletojnë koncept-dokumentin, për të vazhduar më tutje me finalizimin e draft-ligjit”.

Por, nuk japin asnjë detaj se kur mund të nisë dhe përfundojë ndërtimi i banesave.

Në shkurt të këtij viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare kanë nënshkruar një marrëveshje për studim të fizibilitetit për banim dhe kosto të përballueshme. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është thënë se sillet në rreth 200 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë asokohe se projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti.

“Si Qeveri do ta bëjmë të pamundurën që projekti i planifikuar për ndërtimin e 4.000 njësive banesore, të realizohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Kurti.

Ndërtimi i banesave do të bëhej në komunat më të mëdha: Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.

Related Articles