Australia ka akuzuar dy shtetas australianë me origjinë ruse për përgatitjen e një vepre spiunazhi pasi dyshohet se kanë marrë informacion ushtarak që ata planifikonin t’ua dorëzonin autoriteteve ruse.
Çifti i martuar kishte qenë në Australi për më shumë se 10 vjet dhe u arrestuan të enjten në shtëpinë e tyre në Everton Park, një periferi veriore e Brisbane, sipas Policisë Federale Australiane (AFP) dhe Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO).
40-vjeçarja me origjinë ruse, ishte një ushtarake private që punonte si teknike e sistemeve të informacionit me Forcën e Mbrojtjes Australiane (ADF) për disa vite, thanë agjencitë në një konferencë të përbashkët shtypi të premten.
Ajo u bë një shtetase australiane në vitin 2016 dhe burri i saj me origjinë ruse – 62 vjeçar, një punëtor i vetëpunësuar, mori nënshtetësinë australiane në vitin 2020, shtuan ata, raporton CNN,
“AFP do të pretendojë se individët kanë punuar së bashku për të aksesuar materialet e Forcave të Mbrojtjes Australiane që lidheshin me interesat e sigurisë kombëtare të Australisë,” tha komisionerja e AFP, Reece Kershaw.
Çifti u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës në Brisbane të premten dhe u dërgua në paraburgim për t’u paraqitur në gjykatë më 20 shtator.