Pavarësisht situatës së krijuar në veri të Kosovës ku janë vendosur barrikada në fshatin Rudar si dhe disa rrugë janë të bllokuara nga komuniteti serbë, shkolla “Aziz Sylejmani, në lagjen Kodra e Minatorëve, në veri të Mitrovicës është duke zhvilluar procesin mësimor, por jo me të gjithë nxënësit e kësaj shkolle.
Këtë e konfirmoi drejtori i shkollës kontejnerë në Kodrën e Minatorëve, Flamur Gacaferri.
Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar atje, cikli i lartë nuk është duke vazhduar mësimin, por vetëm cikli i ultë.
I pyetur se sa nxënës në ciklin e ultë janë duke zhvilluar mësim, ai tha se janë 10 nxënës.
“Nuk mbahet mësim në ciklin e lartë, por vetëm në ciklin e ultë, për shkak të situatës së krijuar. 10 nxënës janë duke vazhduar mësimin”, tha ai për Telegrafin.
Ndërkaq, që nga dita e hënë shkollat e komunitetit serbë në veri të vendit janë të mbyllura në shenjë proteste nga ky komunitet.
Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar dhe disa rrugë të saj vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara, kjo pasi komuniteti serb të shtunën vendosi barrikada në fshatin Rudar të Mitrovicës, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e këtij komuniteti.