Cilat ishin sfidat me të cilat u përballën studentët këtë vit?

Cilat ishin sfidat me të cilat u përballën studentët këtë vit?

Viti 2022 shënoi normalizimin e situatës me COVID-19, situatë nga e cila të prekur ishin edhe studentët, të cilët u përballën me një metodë krejt të re mësimi, e që ishte ajo online.

Pas më shumë se një viti akademik, me përmirësimin e situatës shëndetësore, ligjëratat dhe provimet gradualisht filluan të ktheheshin në formën fizike.

Sipas kryetarit të Parlamentit Studentor, Qlirim Hoti, kjo ishte një periudhë shumë stresuese për studentët.

“Viti 2022 për studentet ishte një vit më efektiv, më cilësor e po ashtu më aktiv për arsye se fillimi i këtij viti shënoi normalizimin e situatës me virusin COVID-19 dhe kthimin në objekte të fakulteteve. Siç e dimë, si pasojë e këtij virusi ne si studentë vijuam procesin mësimor në formatin online pothuajse dy vjet, format ky jo i pëlqyer e jo efikas. Periudha pandemike sa i përket procesit mësimor normalisht që ndikoi negativisht duke e pasur parasysh se jo të gjithë studentët mund të përballojnë blerjen e pajisjeve elektronike, pajisje këto të domosdoshme për këtë format mësimi. Përveç asaj, problemet që paraqiteshin me internetin e pajisjet e pamundësonin vijimin e ligjëratave e ushtrimeve. Ajo periudhë përveçse ishte joproduktive, ishte edhe mjaft stresuese”, u shpreh ai.

Ai për Klankosova.tv u tha se kthimi në formën fizike u prit shumë pozitivisht jo vetëm nga ana e studentëve, por edhe nga ana e profesorëve.

“Ky kthim u prit shumë pozitivisht jo vetëm nga ana e studentëve, por edhe nga ana e profesorëve. Kjo sepse, pas një kohe të konsiderueshme më në fund u kthyem në normalitet, gjallëria në universitet dhe jo vetëm u kthye sërish, e kjo ndikoi shumë në shëndetin tonë mendor edhe në risocializimin tonë, gjë e cila na mungoi. Pra, kthimi nga formati online në atë fizik dukshëm lehtësoi dhe rriti cilësinë në procesin e mbajtjes së ligjëratave, ushtrimeve e provimeve”, tha Hoti.

Kryetari i Parlamentit Studentor theksoi edhe një sfidë tjetër që ka të bëjë me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

“Një sfidë e cila vlen të përmendet nëpër të cilën kaluan studentët është mungesa e objektit te Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Në vitin 2023 mbushen plot 10 vite nga fillimi i ndërtimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, pra një dekadë e tërë nuk ka mjaftuar për të finalizuar punimet për një objekt me rreth nëntë (9) mijë metra katrorë. E ‘koston’ e shkeljeve, keqpërdorimeve dhe pazareve që janë bërë për ndërtimin e këtij objekti po e ‘paguajnë’ vet studentët e këtij fakulteti, të cilët filluan vitin e dytë në kushte aspak dinjitoze, në një gjimnaz me nxënës të nivelit të mesëm arsimor, e që nuk plotëson fare kushtet që kërkon një fakultet i tillë si i Bujqësisë dhe Veterinarisë”.

“Për këtë çështje ne aktivistë të SKV-së, kemi protestuar dhe insistuar të marrim përgjigje disa herë përmes aksioneve dhe prononcimeve drejtuar të gjitha instancave të mundshme. E së fundmi, tashmë edhe nën udhëheqje të Parlamentit Studentor iu drejtuam Rektoratit të UP-së me disa pyetje për të kuptuar se ku qëndrojnë punët rreth këtij problemi të kamotshëm. Tutje Parlamenti Studentor do kërkojë nga KD i UP-së hapa konkretë për zgjidhje të përhershme të këtij problemi me fokus sigurimin e hapësirës adekuate për FBV-në”, u shpreh ai.

Tutje, Hoti për Klankosova.tv tha se në fokus duhet të jenë studentët dhe dëgjimi i kërkesave e ankesave të tyre.

“Gjithnjë në fokus duhet të jenë studentët, dëgjimi i kërkesave e ankesave të tyre, adresimi i tyre në organet gjegjëse dhe thirrja për zgjidhje sa më të duhur, çdoherë do të ndikojë në përmirësim të gjendjes së jetës studentore në përgjithësi. Punët e nisura e ato të premtuara gjatë fushatës zgjedhore nga ne si përfaqësues të studentëve në organin më të lartë përfaqësues, siç është Parlamenti Studentor, do të vazhdojnë dhe me përkushtim maksimal do të arrihen. Mbi të gjitha, urojmë që viti 2023 të jetë një vit me plotë shëndet, lumturi e suksese për të gjithë ne”, tha ai.

Për studenten e nivelit Master në Fakultetin e Edukimit, Mimoza Kolshi, viti që po e lëmë pas ishte një vit i mirë sa i përket aspektit mësimor, megjithëse sfidat studentore nuk kanë munguar.

“Mendoj që viti 2022, në përgjithësi ka qenë një vit i mirë sa i përket aspektit arsimor. Sfida më e madhe ka qenë përshtatja e orarit te ligjëratave, pasi që shumica e studentëve të nivelit ku studioj unë jemi të punësuar, ndërsa disa ligjërata kanë filluar shumë herët e pjesëmarrja ka qenë obligative”, u shpreh ajo për Klankosova.tv.

Mimoza mendon se ka diçka që duhet të përmirësohet në raportin mes studentëve dhe stafit të fakultetit.

“Besoj që komunikimi dhe mirëkuptimi mes studentëve dhe stafit duhet të përmirësohet”, u shpreh tutje ajo.

Kthimi në ligjërata në formën fizike e gëzoi shumë edhe studenten e arkitekturës, Fatlinda Dukaj, e cila për Klankosova.tv u shpreh se komunikimi grupor përmes ligjëratave online ishte i vështirë.

“Një vit mjaft i suksesshëm në përgjithësi, mbajtja e të gjitha ligjëratave fizikisht mendoj që pati një ndikim pozitiv tek ne, pasi që ky ishte sistemi me të cilin jemi mësuar në fillim, ndaj edhe punët grupore dhe komunikimi me grupin ishin shumë më të lehta këtë vit. Periudha e pandemisë ishte një kohë mjaft sfiduese për faktin që ne si studentë duhej të ambientoheshim me një mënyrë të mësimit ndryshe nga ajo e zakonshmja, ambientimi me platformat online për mësim nuk ishte aq i lehtë në fillim, por që pastaj nuk paraqiste ndonjë problem të madh. Rikthimi në ligjëratat fizike ishte një gjë që të gjithë e dëshironim. Ne veçse ishim të mësuar me ligjëratat dhe provimet fizike andaj rikthimi nga online në fizikisht nuk paraqiti ndonjë problem të madh”, tha ajo.

Fatlinda e sheh si të nevojshëm internetin e vazhdueshëm brenda objektit të Fakultetit të Arkitekturës, por problem për studentët e këtij fakulteti është edhe mungesa e sallave ku studentët mund të punojnë edhe gjatë pauzave.

“Personalisht në vendin ku unë ndjek studimet do doja që të kishim një fakultet më të furnizuar me llaptopë dhe salla të lira të cilat shërbejnë për punë gjate pauzave, poashtu të kemi internet gjatë gjithë kohës për shkak që kjo po e kufizon efikasitetin tonë për të kryer punë gjatë qëndrimit në fakultet”, u shpreh Dukaj për Klankosova.tv.

Për fund, të gjithë mbesin me shpresën se viti i ri do t’i gjejë me kushte më të mira mësimore.

Related Articles