Një cisternë e naftës që forcat amerikane në Karaibe e sekuestruan ishte nën sanksione të Thesarit të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022 nën dyshimet se ishte pjesë e flotës globale të anijeve që janë përfshirë në kontrabandimin e naftës iraniane.
Atëbotë, Thesari tha përmes një njoftimi se rrjeti udhëhiqej nga Viktor Artemov, një shtetas ukrainas që kishte lidhje me Hezbollahun dhe Forcën Kuds të Gardës Revolucionare Islamike iraniane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për sekuestrimin e cisternës gjatë një prononcimi për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë më 10 dhjetor. Një video e publikuar nga prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, shfaqi helikopterë duke zbarkuar në anijen dhe forcat speciale duke marrë kontrollin e cisternës.
“Për shumë vite, cisterna e naftës ishte nën sanksione të SHBA-së për shkak të përfshirjes në rrjetin e transportit të paligjshëm detar që ka mbështetur organizatat e huaja terroriste”, shkroi ajo në rrjetet sociale. “Hetimi ynë së bashku me Departamentin e Sigurisë së Brendshme për të parandaluar transportin e naftës së sanksionuar po vazhdon”.
Bondi tha se anija është përdorur po ashtu për të transportuar naftën e sanksionuar venezuelase. Sekuestrimi vjen në mes të një grumbullimi të madh të marinës amerikane në rajon dhe fushatës kontraverse të sulmeve vdekjeprurëse ndaj anijeve venezuelase që dyshohet se kontrabandojnë drogë.
Venezuela dënoi sekuestrimin duke e cilësuar si “akt piraterie” dhe “krim të rëndë ndërkombëtar”.
Anija, e quajtur The Skripper, quhej Adisa kur u sanksionua. Në njoftimin e vitit 2022 të Thesarit anija u listua së bashku me tetë anije të tjera që u tha se ishin pjesë e një “rrjeti të gjerë, të ndërlikuar të lidhur me kompani fiktive globale, që përdoren për të lehtësuar transportin e naftës” përmes një rrjeti të kontrabandës.
Operacioni përfshinte “përzierjen e naftës për të fshehur origjinën iraniane të ngarkesave dhe eksportimin e saj nëpër botë në mbështetje të Hezbollahut dhe Forcës Kuds” përmes një rrjeti kompanish fiktive në Ishujt Marshall, Mauritani dhe Singapor.
Ky është një model tipik i një “flote në hije” që përdoret për të shmangur sanksionet nga shtete sikurse Rusia, Irani dhe Venezuela.
Në një intervistë dhënë së voni, Benjamin Hilgenstock, ekonomist i lartë në institutin KSE me seli në Kiev, i tha Radios Evropa e Lirë se “kur një anije bëhet cisternë në hije, atëherë është momenti kur i shihni këto mjete të çuditshme që kanë qëllime specifike në Ishujt Marshall të përfshira si pronarë ose kur shfaqen këta menaxherë anijesh që kanë selinë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe që menaxherët ndërrohen vazhdimisht”.
The Skipper, e lansuar në vitin 2005, duket se aktualisht është në pronësi të një kompanie me bazë në Nigeri të quajtur Thomarose Global Ventures, sipas të dhënave publike.
Një tjetër taktikë tipike për anijet e “flotës në hije” është ndryshimi i shpeshtë i vendit ku regjistrohet anija. The Skipper lundronte si anije e regjistruar në Gajanë kur u sekuestrua nga SHBA-ja. Por, Gajana mohoi se anija është e regjistruar në këtë shtet.
Ekonomia iraniane varet shumë nga të ardhurat e naftës dhe ka përdorur “flotën në hije” të cisternave për të shmangur sanksionet.
Si pjesë e politikës së tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, Trump e ka bërë prioritet që të ulë eksportet iraniane të naftës.
Në nëntor, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj gjashtë anijeve të tjera, me sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, që deklaroi se ky veprim është pjesë e vazhdimit të përpjekjeve për të “ndalur financimin e regjimit iranian për zhvillimin e armëve bërthamore dhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre terroristë”.
Administrata e Informacionit të Energjisë e SHBA-së (EIA) vlerësoi se të ardhurat nga eksportet e naftës së papërpunuar dhe të përpunuar të Iranit ishin rreth 43 miliardë dollarë më 2024, apo 1 miliard dollarë më shumë se vitin paraprak.
Ndërkaq, ka pak të dhëna për Artemovin. Në listën e zezë amerikane thuhet se ai ka lindur në Donjeck më 1975 dhe ka adresë në një qytet në Gjenevë, ku raportohet se oligarkët rusë kanë blerë prona.
