Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se Vlora Çitaku do të jetë në krye të Departamentit për Punë të Jashtme në “Qeverinë në hije”.
“Njëra prej fushave tepër të rëndësishme, ku Partia Demokratike ka pasur gjithmonë një përvojë dhe një performancë të jashtëzakonshme, te pjesa e politikës së jashtme, politikën e jashtme dhe agjendën evropiane brenda Kabinetit të Qeverisë së Mirë do ta udhëheqë Vlora Çitaku”, ka thënë Krasniqi në Klan Kosova.
Ai ka thënë se Çitaku është vendosur në këtë pozitë për shkak të kontakteve, respektit, karrierës së definuar dhe sukseseve të saja.
Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të vazhdojë me publikimin e emrave të tjerë.