Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një deklaratë për media ka folur për ndarjet që, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i bëjnë ndaj partive opozitare dhe votuesve të tyre, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Çitaku tha se Kurti ka shfaqur sjellje totalitare, duke ndarë shoqërinë në ne dhe ata. “Sjellja është totalitare, sepse në momentin kur synon ta ndash shoqninë në ‘ne’ dhe ‘ata’, dhe kushdo që nuk është me ne shpallet kundër Kosovës, kundër idealeve tona dhe kundër historisë”, tha Çitaku në “DPT te Fidani”.
I pyetur nga moderatori Fidan Jupolli se nuk e ka dëgjuar Kurtin të shprehet drejtpërdrejt në këtë mënyrë, Çitaku u përgjigj se deklarata të tilla janë bërë disa herë.
“Kur ti më thua mua se jam me Serbinë, çka nënkupton kjo? E ka thënë një herë, e ka thënë disa herë. Dhe jo vetëm ai, por edhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë thënë në mënyrë të organizuar dhe të sinkronizuar”, deklaroi Çitaku.
