Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës edhe sot (27 prill), dështoi të konstituohej, raporton Gazeta “Enigma”.
Çitaku përmes një postimi në profiline saj në Facebook ka thënë se është e papërgjegjshme dhe e papranueshme është mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje trajton Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj.
“Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje. Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LVV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi. LVV e ka në dorë të zhbllokojë punën e Kuvendit”, ka shkruar ajo.
“Nuk e bën, sepse përdorimi i mjeteve normale në politikë dhe demokraci nuk është në traditën politike të saj. Ndërkohë, aferat në fushën e energjisë nuk kanë të ndalur, çmimet rriten çdo ditë, e ne në Kuvend po merremi me ulëse dhe me emra të përveçëm. Turp”, ka shkruar tutje ajo. /Gazeta Enigma/