Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me sondazhin e fundit, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje del me 49.5 përqind, PDK me 17.1 derisa LDK-ja renditej e treta me 16 përqind.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Çitaku i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që nëse janë të kënaqur me sondazhin, le të shkojnë në zgjedhje.
Ajo madje propozoi datën 9 qershor, si datë për zgjedhje.
“VV, nëse jeni të kënaqur, ejani shkojmë në zgjedhje. 9 Qershor? PDK është gati”, ka shkruar ajo.
Të zëshëm në reagime pas sondazhit të fundit kanë qenë edhe në taborin e Lidhjes Demokratike, që po ashtu kanë thënë se LDK do ta tregojë forcën e saj në zgjedhje.