Sot po mbahet seanca e Kuvendit në kujtim të kongresistit amerikan, Eliot Engel, raporton Gazeta Enigma.
Me këtë rast nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku kujtoi kohën kur kishte arritur si ambasadore në ShBA dhe lidhjet e forta miqësore që Eliot Engel kishte ndërtuar për Kosovën.
“Më kujtohet dita kur zbrita si ambasadore në ShBA, peisazhi politik në Amerikë kishte ndryshuar shumë. Kishte shumë kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të lartë që kishin marrë detyra të reja dhe shumë prej tyre nuk kishin lidhje historike, politike dhe emocionale me Kosovën. Diçka e pazakontë ndodhte vazhdimisht saherë flisja për Kosovën përballë meje nuk kishte habi, nuk kishte pyetje të para, kishte buzëqeshje të lehtë dhe pohim të qetë: E dimë… dhe pastaj si një refren që përsëritej në çdo cep të Washingtonit: Na ka treguar Eliot Engel. Pastaj e kupton nuk po fillonim nga e para, dikush kishte qenë aty para nesh, dikush kishte folur, kishte bindur. Kishte ndërtuar ura të padukshme, por të fuqishme mes një vendi të vogël dhe një bote të madhe.
“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz e bëjnë në politikë, kishte lënë gjurmë. Atëherë e kuptova që misioni im ishte më i lehtë, nuk kisha detyrë të ndërtoja miqësi, por t’i nderoja ato që kishte krijuar Eliot Engel për ne”, tha Çitaku.
