Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar Albulena Haxhiut, duke i thënë se Lista Serbe nuk ka si t’i shantazhojë, sepse sipas saj nuk kanë bërë kurrë marrëveshje të fshehta, as pazare me ta, raporton Gazeta “Enigma”.
Çitaku përmes një postimi në profilin e saj Facebook tha se qëndrim i tyre është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund.
“Albulenë, Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Tutje Çitaku është shprehur se “qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini. Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”./Gazeta Enigma/