Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me komentetet e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Shefja e grupit parlamentar të VV-së sot paska fyer rëndë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Tutje ajo ka shtuar se “sikur nuk u paska mjaftuar mospërfshirja e tyre në ligjin për pagën minimale, zonja Kusari paska bërë edhe një pyetje të rëndë retorike në llogari të veteranëve tonë, “a do të dalë lista serbe në protestë bashkë me veteranët e UÇK-së?”.
“Unë pjestarët e UÇK-së nuk i kam parë ne video të Youtube. I kam takuar duke shoqëruar gazetarët e huaj nëpër fushëbeteja gjatë luftës. Ata kanë qenë të gatshëm për sakrificën më sublime, dhe kanë qenë të lumtur nëse kanë pasur një kafshatë bukë me e ngranë, e një plumb për ta shkrepur”, ka deklaruar ajo.
“Zonjën Kusari e kam parë të shprehë admirim për luftëtarët në Ukrainë. Mirë shumë”, ka shkruar Çitaku.
“Por ne nuk kemi nevojë të shkojmë larg, e të kthehemi shumë mbrapa në kohë për t’i gjetur heronjtë. Ata i kemi në mesin tonë. Fatkeqësisht, heronjtë tanë po fyhen e përbuzen. Turp!”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Enigma/