Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, tani nënkryetare në PDK, Vlora Çitaku, thotë se Kosova duhet të tregojë zemërgjerësi dhe të pranojë një numër të refugjatëve nga Afganistani.
Këtë deklaratë Çitaku e ka bërë në profilin e saj në Facebook, teksa ka thënë se Kosova e di shumë mirë momentin kur dëbohesh dhunshëm nga shtepia.
Postimi i saj i plotë:
Ne në Kosovë e dimë shumë mirë ndjenjën e pafuqisë që vije në momemtin kur dëbohesh dhunshëm nga shtëpija. Dhimbjen dhe pasigurinë që të kaplon kur ndahesh pa dëshirë nga gjithcka që njeh dhe don.
Sot, Kosova e vogël dhe me resurse të limituara, duhet të tregojë zemërgjërësi dhe të pranojë një numër të refugjatëve nga Afganistani.
Edhe Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.
Haradinaj shprehet se duhet qëndruar pranë Amerikës ashtu siç ata riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria.
Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rama tha se shpreson që edhe Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane.
“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama ndër të tjera.
Në një postim të gjatë në “Facebook”, kreu i qeverisë shqiptare zbulon se ka pranuar kërkesën për strehimin në Shqipëri të qindra personave, që sipas tij, janë nga të parët në listat e ekzekutimeve./Gazeta Enigma/